Fatmir Sejdiu, që prej mesditës së djeshme nuk është më President i Kosovës, por vetëm kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti politike që qeveris bashkë me PDK-në e Hashim Thaçin. Vendimi i fortë i Sejdiut është marrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e cilësonte shkelje të Kushtetutës mbajtjen e dy posteve: atë të kreut të shtetit dhe të drejtuesit të partisë.
Vendimin e tij për dorëheqje nga posti i Presidentit, të cilin e ka mbajtur që nga viti 2006, Presidenti Sejdiu e ka bërë publik në një konferencë për media, ku është shoqëruar nga i gjithë kabineti i tij. “Sot (dje) unë kam dhënë dorëheqjen nga pozita e Presidentit të Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi e përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe vendit tonë të dashur”, është shprehur tashmë ish-presidenti Sejdiu. Këtë vendim, pasuesi i Ibrahim Rugovës e ka marrë pas njoftimit të Kushtetueses, ku është thënë se “Gjykata Kushtuese me shumicë votash ka deklaruar se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të nenit 88.2, nga Shkëlqesia e Tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Partisë politike Lidhja Demokratike e Kosovës”. Në fjalimin e tij, Presidenti i deritanishëm ka shprehur bindjen se vendimin për dorëheqjen nga posti më i lartë i vendit, e ka bërë me qëllim të respektimit të vendimeve të institucioneve të vendit. “Edhe ky akt imi i sotëm rikonfirmon përkushtimin tim për të treguar respekt për institucionet dhe vendimet që marrin ato. Vitet e gjata të punës sime si profesor universitar, si dhe përvoja ime shkencore më kanë motivuar të jem në procese thelbësore politike, nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe populli im”, ka deklaruar Sejdiu. Në vazhdim të tekstit të tij të dorëheqjes së parevokueshme, kreu i shtetit theksoi se ka menduar që ushtrimi i funksionit si kryetar i partisë me post të “ngrirë”, nuk është shkelje e Kushtetutës. “Unë kam besuar se mbajtja e postit të kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion siç e përcakton Kushtetuta, nuk përbën shkelje të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe dhe unë e respektoj atë vendim, pavarësisht faktit se ende nuk më është dorëzuar aktgjykimi i gjykatës”, deklaroi Sejdiu. Presidenti i Republikës, në deklaratën e tij të fundit në këtë post, ka kujtuar një fjalim të tijin të mbajtur kohë më parë para deputetëve të Kosovës, para të cilëve kishte deklaruar se politikanët janë kalimtarë të proceseve të rëndësishme.
“Para pak kohësh, para Parlamentit të Kosovës kam thënë se në sistemin demokratik koniunktura politike vijnë e shkojnë, ajo që mbetet është vlerësimi i qytetarit për ta”, theksoi kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pak kohë më parë, deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit kishin kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të jepte opinionin e saj nëse Fatmir Sejdiu është duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës. Përgjigjja në kërkesën e deputetëve Kushtetuesja e kishte dhënë më datën 24 shtator, ku theksohej se “ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të nenit 88.2, nga Shkëlqesia e Tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Partisë politike Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)”.