UEFA ka bërë të ditur se në mbledhjen e radhës më 28 tetor do të marrë vendimin ndaj Serbisë, ndërkohë që Beogradi vazhdon të shpresojë për futjen në Bashkimin Europian pavarësisht se ky grup tifozësh huliganë bëri të pamundurën për të penguar një gjë të tillë duke ëndërruar Serbinë e Madhe.
Fjalët e para të Ivan Bogdanov ishin: “Dikur kam qenë një paramilitar, nuk kam asgjë me Italinë, por me skuadrën time,” – ndërkohë huliganët e tjerë kanë kërcënuar përfaqësuesen italianë dhe tifozerinë për ndeshjen e kthimit në Beograd. Me të mbërritur në kufirin e Serbisë, 19 persona janë arrestuar, ndërkohë që në Xhenovas u ndaluan 17-të të tjerë. Dyshime të mëdha janë hedhur për këtë grup vandalësh që vetëm tifozë nuk ishin.
Në Beograd qarkullonin zërat rreth kësaj që do të ndodhte, e vetmja që guxoi të publikonte dicka ishte gazeta ‘Press’. Sipas saj, që citon burime konfidenciale brenda policisë serbe, Bishës i ishin dhënë detyra të qarta së bashku me biletat e ndeshjes pavarësisht se mbi të rëndonin 4 akuza penale. Sipas kësaj gazete Ivan dyshohet të jetë pjestarë i një grupi të madh narkotrafiku në Ballkan.
Gjithcka dukej e organizuar shumë mirë, federata serbe kishte vënë në dispozicion 9 autobusë për një cmim prej 100 eurosh për të ndjekur këtë ndeshje, por në Xhenova ishin 1750 tifozë serb, një pjesë qëndronin prej kohësh në Itali dhe kishin siguruar të gjitha, tymueset, eksklpozivin dhe pincat me të cilat Ivan Bogdanov preu rrjetën e stadiumit, gjë që sjell dyshime të forta për policinë italiane se përse nuk u kontrolluan.
“Me flamurin shqiptar na provokuan prandaj e dogjëm,” – thotë një nga tifozët.
Federata Serbe e Futbollit menjëherë është distancuar nga kjo ngjarje duke dënuar këtë akt barbar e në të njëjtën kohë duke kërkuar falje për gjithcka ndodhi.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit. “FSHF dënon ashpër këto veprime të dhunshme dhe nacionaliste, të kësaj pjese të tifozerisë serbe, e cila jo vetëm s’ka asgjë të përbashkët me futbollin por edhe ka fyer rëndë, dinjitetin tonë kombëtar. Duke përshëndetur qëndrimin korrekt të mbajtur nga Federata Serbe e Futbollit, FSHF denoncon ashpër veprimet e këtij grupimi ekstremist, që cënoi rëndë simbolet tona kombëtare. Federata Shqiptare Futbollit deklaron qëndrimin e saj zyrtar, i cili do të vazhdojë të jetë një kontribut i vazhdueshëm dhe i hapur, jashtë çdo lloj ngjyrimi nacionalist me tendenca separatiste”, thuhet në komunikatë.