Beitragsansicht

Bruksel, ndizet sherri i europianëve për përzënien e romëve

Baroso sulmon Sarkozinë dhe mbron organizatën që ai drejton

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka shpresuar që të ketë mbështetjen e kolegëve të tij europianë në lidhje me vendimin shumë kontradiktor për përzënien e romëve nga Franca, që ka ngjallur pakënaqësi të mëdha ndërkombëtare. Por në takimin e fundit në Bruksel, në vend që të arrinte mbështetjen e dëshiruar, ai ka pësuar zhgënjim të madh. Presidenti i Komisionit Europian, Baroso, e ka sulmuar francezin me një këmbëngulje jo të zakontë dhe ndërkohë askush nuk i doli Sarkozisë në mbrojtje.

Shenjat e afrimit të stuhisë ishin të dukshme. Menjëherë pas takimit të së enjtes mes liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel, Presidenti francez Sarkozi iu referua Presidentit të Komisionit Europian me “Monsieur Baroso”. Ishte një kontrast i dukshëm me mënyrën tradicionale me të cilën Sarkozi i është drejtuar gjithmonë Presidentit, pra me “ti”, apo “miku im”. Por duket se Baroso nuk është më “i dashuri” i Parisit dhe Sarkozi e bëri një gjë të tillë shumë të qartë. Dhe ajo çka ishte e qartë gjithashtu qe se takimi që në fakt u thirr për një sërë çështjesh, do të fokusohej më së tepërmi në çështjen e romëve dhe përzënies së tyre nga Franca. Ishte një mbledhje “e stuhishme” e karakterizuar nga fjalë të qeta, por të shprehura me tone kërcënuese. Sarkozi u tha hapur liderëve europianë se nuk do të toleronte një kritikë të tmerrshme nga ana e Komisionit Europian, si ajo e bërë nga një komisionere e tij në adresë të politikës franceze ndaj romëve. Sipas disa burimeve thuhet se Baroso dhe Sarkozi kanë shkëmbyer dialogë “të zjarrtë” derisa argumenti është diskutuar edhe në nivelet më të larta. Sipas burimeve nga diplomatë të ndryshëm që kanë qenë prezentë në mbledhje, Sarkozi deklaroi se komisioni e ka “lënduar Francën”, ndërkohë që Baroso e ka mbrojtur shumë energjikisht rolin e institucionit që drejton. Ndoshta Sarkozi kërkonte me retorikën e tij që të krijonte çarje në komision, por nëse kjo ka qenë e vërtetë, atëherë mund të thuhet se ai e priti kot një gjë të tillë. Për rreth një orë, 27 liderët e BE-së kanë debatuar për trajtimin që po u bën Franca romëve. Që nga fillimi i vitit, mbi 8000 romë janë dërguar në Rumani dhe Bullgari. Ndërkaq tensioni në Bruksel është pasqyruar në të gjithë median europiane gjatë ditës së djeshme. “Sarkozi e ka humbur”, shkroi gazeta spanjolle “El Mundo”, ndërsa austriakja “Der Standard” shkruan se Europa është bashkëpunëtore në atë që po ndodh në Francë, sepse Bashkimi Europian në tërësi dështoi në integrimin si duhet të romëve. Ajo që ra në sy në takimin e fundit të BE-së ishte se disa nga kolegët e Sarkozisë e sulmuan atë me një zell të dukshëm. “Unë nuk i konsideroj shpërngulje të tilla masive si normale”, ka deklaruar Presidenti bullgar. Të tjerët ishin të mendimit se nuk ishte vetëm e drejta, por edhe detyra e komisionit që të hetonte në lidhje me veprime të tilla. Por në krye të kritikëve të Sarkozisë ishte Baroso. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman van Rompuy, në një tentativë për të shmangur skandalin publik, kërkoi hartimin e një dokumenti final për të treguar edhe njëherë unitetin e anëtarëve. E ndërkohë, në përfundim Sarkozi ka deklaruar se do të vazhdojë largimin e romëve dhe në këto rrethana mund të thuhet me plot gojë se zënka mes Francës dhe Bashkimit Europian është larg fundit.

Era85 18.09.2010 0 953
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
18.09.2010 (vor 5210 Tagen)
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)