Astrit Hatellari, pas 21 vitesh nga dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, shprehet i zhgënjyer nga klasa politike shqiptare, e cila sipas tij, nuk është në lartësinë e duhur. Hatellari ishte ndër kryesorët në demonstratën popullore të 20 shkurtit të vitit 1991, në rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Në intervistën për “Shqip”, “Pishtari i demokracisë”, Hatellari ka theksuar se pas 21 vitesh , PD-ja ka në përbërje të saj komunistë.
Zoti Hatellari, jemi 21 vite larg nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha. A mund të na thoni çfarë mbani mend nga ajo ngjarje, si u organizuat atë ditë?
Organizimi ishte shumë spontan, sepse ne grumbulloheshim për ditë të tëra te studentët që kishin hyrë në grevë urie dhe ne i mbështetnim nga jashtë. Unë kam qëndruar tri ditë te studentët, dhe madje kam fjetur aty. Ishte një përkrahje nga të gjitha ndërmarrjet e Tiranës, madje dhe nga rrethet, si Kavaja sidomos, Durrësi dhe Shkodra. Dhe këto ditë, duke mbërritur te data 20 shkurt, ishin grumbulluar të gjithë, kishin ardhur shumë njerëz, ku mund të kishte 40-50 mijë njerëz në Qytet Studenti. Dolën shumë njerëz të ndryshëm, intelektualë që folën atë ditë. Dua të them se rrëzimi i bustit të diktatorit nuk ishte një organizim i PD-së, por ishte i natyrshëm i të gjitha forcave që kërkonin diçka të tillë, si nga të rinjtë, studentët, përkrahës të ndërmarrjeve. Si një aktor kryesor i kësaj ngjarjeje dhe asaj që gjykoj, nuk ka qenë organizim i PD-së, pasi nuk ishte organizuar në një ditë. Kishim kohë të tëra që prisnim që ajo hije që ishte në qendër të Tiranës të binte, që njerëzve t’u dilte ajo frikë e vetme që u kishte mbetur, pasi akoma mbahej statuja si një relike, si një rrënjë, e cila po të mbahej aty do lëshonte prapë degë. U nisëm të gjithë nga Qyteti i Studentit, drejtimi ishte për nga sheshi kryesor. Dikush kërkonte që të niseshim për nga zona e Bllokut.
Ky ishte një veprim spontan?
Po, absolutisht spontane ishte komplet. Të gjithë u nisëm për te sheshi për të hequr bustin dhe për ta bllokuar. Aty vajtëm te Liceu Artistik, ku na prisnin forcat e policisë dhe të ushtrisë, të cilët ishin me fishekë manovre. U bë një përplasje me forcat, me makinën e ujit, e cila e lëshonte atë me ngjyra. Vajtëm nga Kryeministria prapa, ushtarët na thanë se, ‘vetëm këtu mos hyni se do ju qëllojmë’. Ramë dakord me ata dhe nuk hymë, por u duk se kishte filluar diçka e madhe. Aty morëm drejtimin për nga sheshi. Aty pati thirrje të instaloheshim në bllok, por më mirë që nuk vajtëm atje, sepse do kishte pasur një anarki tjetër nga ky veprim. Dikush mund të thotë që horrat duan njerëz të vrarë, por Tirana u tregua me kulturë të madhe dhe civilizim të jashtëzakonshëm. Po ta marrësh tani pas 21 vitesh, nga pikëpamja historike 20 shkurti ishte një nga ngjarjet më të mrekullueshme, më të jashtëzakonshme, ku fitoi qytetaria. Mezi prisnin që dikush të vritej, njerëzit e pushtetit, si gjithmonë janë përfituesit më të mëdhenj. Ata bërtasin më shumë, në një kohë kur të tjerët janë aktorët kryesorë të ngjarjeve historike. Megjithatë, drejtimi i turmës mori për nga sheshi, ku po grumbulloheshin të gjithë njerëzit. Fillimisht ishin 10-15 mijë veta. Po mendonim se si të çanim rrethimin, sepse aty ishin grumbulluar të gjithë me polici dhe me qen kufiri. Pikërisht te Muzeu po diskutonim për planin. Vjen në atë kohë Neritan Ceka dhe po flisnim për qëllimin dhe si të thuash, u fol për një lloj përmbajtjeje. Njerëzit kishin mendimin që të prishnim çdo gjë, por më mirë që nuk ndodhi.
Po zoti Ceka, çfarë ju kërkonte?
Neritan Ceka ishte nga të parët që hipi atje dhe mbajti një fjalim, që qëllimi jonë është për mosprishjen e gjërave të tjera dhe për vetëpërmbajtje, dhe bëri një nga gjërat më të mirat. Po ta marrësh nga modeli pas ’91, kjo është një nga demonstratat më të fuqishme, më të mëdhatë, ku u rrëzua një figurë e sistemit, që ra komplet, ku njerëzit u çliruan tërësisht. Ky ishte fundi i këtij sistemi të Lindjes, që ne kërkonim ta rrëzonim. U shpërndamë dhe takonim njerëz aty rreth e rrotull dhe kërkonim mënyrën se si ta rrëzonim bustin. Në autobus nuk na lejonin, se ishin policët. Takuam disa veta që njihja personalisht dhe shokun tim, Agron Spahon, i cili kishte ardhur nga Vlora. Në atë kohë që u grumbulluan te sheshi, fillimisht u bëmë 30-40 veta që shkuam për te busti. Pjesa tjetër na mbështeste nga prapa duke na mbrojtur. Përpara kësaj ndodhën incidente të ndryshme, jo goditje të policisë, të cilat bëheshin dhe me pajisjet elektrike dhe nuk pati më të shtëna. Dikush thoshte se këtë e ndaloi Ramiz Alia, por ne ishim të vendosur ta rrëzonim bustin dhe do realizohej çfarëdo që të ndodhte. Aty ishin të gjithë; gra, fëmijë, nëna dhe po të mos u ndalnin të shtënat, aty ndodhte një dhunë e paparë, një vrasje e paparë. Ramiz Alia mbrojti veten e vet dhe njerëzit që erdhën më prapa në pushtet, sepse po të kishte ndodhur ajo, pastaj do ishte bërë një hakmarrje e madhe. Vërtet, më mirë që nuk ndodhi një gjë e tillë! U afruam te busti e morën në kurriz për ta rrëzuar. U munduam 30-40 veta për ta shtyrë, për ta lëvizur dhe lëkundur, pasi bazamenti ishte shumë i dobët për përmasën që kishte busti. E pamë që po të binte busti do vriteshin njerëz ose ne vetë. Atëherë dolëm të gjenim një litar që të hidhej në gushë te busti. Ky ishte mendimi i çastit në ato 10-15 minuta. Dhe dolëm mu aty ku sot është Banka e Shqipërisë, pak metra më poshtë. Ndaluam një makinë tip ‘Gaz’, nuk kishte asgjë. Më pas ndaluam një makinë ‘IFA’, shoferi nuk pranonte, por ne e morëm si të thuash me dhunë. Morëm një litar dhe u kthyem te busti. U munduan shumë vetë për të hipur, mbanim njëri-tjetrin, sepse nuk kishin ku të kapeshim. Gishti i bustit të Enverit ishte sa këmba ime dhe nuk kishim ku të kapeshim për t’u ngjitur. Provuan shumë vetë dhe u them: “hajde, po ngjitem unë”. Pra, mua më ra rasti dhe fati që ta provoja, të gjithë donin që të ngjiteshin. Mezi u ngjita, isha i shkathët, i dobët, nuk ishte punë force për të hipur. Më dhanë litarin dhe u mora për 10 minuta me vendin se ku ta vendosja. T’ia lidhja te qafa, nuk mundja dot. Pastaj ia lidha te gishtat prapa, por ra prapë. U mundova t’ia lidhja prapë, por nuk arritëm. Vajtëm morëm një kavo tjetër, vajti makina ta tërhiqte. Prapë ra kavoja dhe e lidhëm sërish. Kur u rrëzua busti, shikoja njerëz të ndryshëm të përlotur, dukej se po çliroheshin nga një barrë e rëndë. Snajperët ishin sipër, mund të kishin qëlluar edhe mbi njerëz, sepse iu dukej sikur po iu shembej bota. Madje, njerëz më prapa më kanë thënë vetë se, donim që të qëllonin vetë, por nuk e bënë.
Kanë dalë zëra se se poshtë bazamentit ishin lënë të lira vidat e bustit?
Nuk është e vërtetë fare një gjë e tillë. Unë kam qenë vetë aty, ka njerëz që deklarojnë se kanë qenë prezentë, por nuk është e vërtetë. Bazamentin e kam parë vetë dhe ishte i trashë, nga pesha e lëkundjeve ai u ça.
Pas 21 viteve që kanë kaluar, si ndjeheni nga një akt i tillë? A ndjeheni i zhgënjyer në lidhje me faktin se demokracia në vend është ende e brishtë?
Për veprimin që kam kryer, nuk jam zhgënjyer aspak. Demokracia si nocion ka ardhur dhe ekziston, ndërsa koha që duhet të kishim përpara, jo. Këtu njerëzit kanë bërë shumë para, ndërsa qeveritë dhe partitë lënë shumë për të dëshiruar, janë shumë, shumë prapa në mendim dhe në mentalitet. Ato nuk po lëshojnë asnjë lloj karrigeje për të rinjtë, ata që kanë shumë vizon, por po u ikin jashtë Shqipërisë. E vërteta është se këtu po instalohet një lloj servilizmi, dhe pa u ngjyer e pa u manipuluar njerëzit nuk mund të ngjitësh shkallët në karrierë. Po përdorin të njëjtën shkollë e mentalitet si në komunizëm, dhe kjo është shumë e mbrapshtë. Nuk flas për veten personalisht, por flas për një popull. Unë as shpërblime s’kam marrë, e as kam përfituar ndonjëherë, dhe as kam kërkuar ndonjëherë.
Pra, jeni të zhgënjyer nga klasa politike?
Po, nga e gjithë klasa politike; në përbërje të PD-së janë 95% komunistë. Pjesa më e madhe që janë në politikë, pjesa që janë të vjetrit, drejtuesit, në atë kohë kanë qenë të organizuar në kurset (shkollat) e Enverit. Ky është qyfyri më i madh. Pra, klasa politike nuk ka lidhje fare me demokracinë. Ata që kanë vuajtur vërtetë, kanë përfituar shumë pak.