Me një lëvizje surprizë, ministri iranian i Naftës, deklaroi dje pasdite se Irani do të fillojë t’ua shesë naftën partnerëve të rinj tregtarë. Kjo duket se është përgjigjja e republikës islamike ndaj vendimeve të marra në muajt e kaluar nga Bashkimi Europian, për të forcuar sanksionet kundër importit të naftës nga Irani, si presion ndaj Teheranit për shkak të programit të tij të dyshimtë bërthamor. Lajmi që u komunikua nga zëdhënësi i ministrit iranian të Naftës, Alireza Nikzad, u shfaq menjëherë edhe në sajtin zyrtar të ministrisë: “Shitja e naftës kompanive britanike dhe franceze, pezullohet”. Kjo lëvizje përbën një manovër më tej drejt një përshkallëzimi të tensionit në rajon. Vetë ministri iranian i Naftës, pranoi se ndërprerja e eksportit kundrejt disa vendeve të Evropës nuk do të ndikojë në ekonominë iraniane. Industritë e mëdha të naftës të cituara nga “Reuters” thanë se blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane në Europë kanë nisur të reduktojnë ndjeshëm ritmet e blerjes. Nga ana tjetër, agjencia franceze e lajmeve “AFP” bëri me dije se vendimi i marrë nga Irani nuk mendohet të ketë ndikim të madh. Kjo pasi vitin e kaluar, Franca bleu vetëm 3 për qind të naftës së Iranit, ndërsa Britania e Madhe, edhe më pak. Vitin e kaluar, Teherani furnizoi me më shumë se 700.000 fuçi në ditë Europën dhe Turqinë, por në fillim të këtij viti, kjo shifër ra në 650,000. Gjiganti francez i energjisë “Total” ka ndaluar blerjen e naftës iraniane, po ashtu edhe “Royal Dutch Shell”, një nga blerësit më të mëdhenj të arit të zi të Iranit. Më parë, ministri britanik i Punëve të Jashtme, William Hague, kishte deklaruar për BBC që Londra ishte kundër përdorimit të armëve ndaj Iranit, por tha se nuk ishte as gati për ta përjashtuar krejtësisht këtë mundësi. Pyetjes së një sulmi të mundshëm izraelit kundër Teheranit për të ndaluar programin bërthamor iranian, Hague iu përgjigj se “Londra nuk është pjesë e asnjë planifikimi të sulmeve ushtarake dhe paralajmëron Izraelin se një sulm i tillë do të ishte shumë pak i leverdisshëm për të gjitha palët”. Si vendi i dytë i OPEC, Irani prodhon rreth 3.5 milionë fuçi nafte në ditë dhe eksporton 2.5 milionë. Rreth 20 për qind e arit të zi iranian i shitet vendeve të BE (600 mijë fuçi në ditë), në veçanti Italisë, Spanjës dhe Greqisë. Pjesa tjetër, rreth 70%, eksportohet në Azi. Sipas “Reuters”, “Tupras” e Turqisë ishte klienti më i madh europian për naftën iraniane në vitin 2001, me rreth 200,000 fuçi në ditë, e ndjekur nga “Total” (100,000 fuçi), “Shell” (100,000 fuçi), grekja “Hellenic” (80,000 fuçi) dhe “Cepsa” e Spanjës (70,000 fuçi në ditë). Javën e kaluar autoritetet e Teheranit kishin deklaruar për një ndërprerje të eksportit të naftës ndaj gjashtë vendeve europiane, si përgjigje ndaj sanksioneve të fundit të BE-së ndaj Iranit për shkak të programit bërthamor. Në valën e përshkallëzimit të retorikave me Perëndimin, Irani ka kërcënuar vazhdimisht se do të luajë njërën prej kartave më të forta që ka: mbylljen e Hormuzit, veprim të cilit shumë i druhen për faktin e thjeshtë se përmes kësaj ngushtice, kalon rreth 40% e naftës se tregtuar sot në botë.
Bllokimi i rrugës detare me rëndësi strategjike do të çonte në një vrapim të çmendur të naftës dhe kuotimit të saj. Në ekonominë globale, ndikimi do të ishte më se i dukshëm.