Beitragsansicht

Ishte planifikuar të investoheshin paratë e “Sacra Corona Unitta”

Një ndër krerët e organizatës mafioze italiane, “Sacra Corona Unitta”, është kapur në Shqipëri vetëm pak ditë para se të hapte një kazino, ku do të bëhej pastrimi i parave nga trafiku i kokainës. Albino Prudentino, i njohur për aktivitetin kriminal, kishte rreth një vit që kishte ardhur në Shqipëri, ku mbulonte gjithë aktivitetin e kësaj organizate në vendin tonë. 59-vjeçari është zbuluar nga Shërbimi Informativ, i cili kishte informacione prej kohësh për mafien italiane që po investonte në Shqipëri, në bashkëpunim me operacionet speciale të policisë italiane, si dhe me agjencitë e instaluara pranë Ministrisë së Brendshme. Operacioni për kapjen e tij është realizuar nga forcat speciale RENEA në një apartament, në katin e tretë të një pallati tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ndërkohë që familja e tij jetonte pak metra më tutje në një vilë. Njëkohësisht me të, në orën 04:00 të mëngjesit janë arrestuar edhe tetë bashkëpunëtorë të tij, shtatë prej të cilëve janë kapur në Itali, ndërsa një tjetër në Tailandë.

Albino Prudentino

59-vjeçari Prudentino njihej si kontaktues i organizatës mafioze “Sacra Corona Unitta” dhe shef i kontrollit të aktivitetit të kësaj organizate në Shqipëri. I njohur nga policia italiane që prej vitit 1998, ai nuk ishte kapur më parë. Në vitin 1999, pas goditjes së kësaj organizate, ai ishte larguar në Greqi, ku ishte arrestuar për herë të parë, por nuk u realizua ekstradimi i tij, për arsye se nuk kishte prova për implikim në mafia. Në vitin 2001 ai u largohet forcave të policisë në Patra dhe pas një ndjekje disaorëshe, policia helene arriti ta vendosë në pranga. Ai u dyshua për vrasje dhe për vendosje bombe në Greqi, por ato akuza nuk u vërtetuan. Kështu, më 21 qershor të vitit 2002, Gjykata e Athinës e liroi nga akuza për vrasjen e biznesmenit grek Yiannis Yiatrakos dhe nga akuzat për dy vendosje bombash në vitin 2000 po në Greqi. Sidoqoftë, Prudentino, në atë kohë 51 vjeç, u dënua me 16 muaj burg vetëm për mbajtje dokumentesh false. Ai u arrestua afër Patras në janar të vitit 2001, një muaj pasi ishte arrestuar Francesco Prudentino, 53 vjeç, po për të njëjtat akuza. Ky i fundit ishte dënuar me 6 vjet burg në Romë, një javë para se të dënohej Albino dhe të dy dyshoheshin që në atë kohë për lidhje me “Sacra Corona Unitta”.

Ardhja në Shqipëri

Rreth një vit më parë ai dyshohet se ka ardhur në Shqipëri, për të shtrirë aktivitetin kriminal të kësaj organizate. Pas bashkëpunimit me rrjetin në Itali, ai ka blerë një vilë tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë, pak pa mbërritur në Orikum, në të cilën jetonin djali dhe gruaja e tij. Pak metra më tutje, në një pallat pesëkatësh kishte një apartament dhe një lokal ëmbëlsirash. Aty do të hapte edhe një kazino për pastrimin e parave të mafies. Ajo do të promovohej ditën e premte, më 1 tetor. Por kjo ishte pikasur nga Shërbimi Informativ Shqiptar, të cilët kishin paralajmëruar për investime të mafies italiane në Shqipëri. Madje, kështu është identifikuar vendqëndrimi i tij, ku më pas është bashkëpunuar me Antimafien italiane për ta mbajtur nën vëzhgim.

Kapja nga RENEA

Dy ditë më parë është planifikuar goditja e grupit prej 11 vetash, që kishin riformuar organizatën kriminale pas goditjes së saj. Kështu, forcat speciale RENEA kanë shkuar afër banesës së tij që mbrëmjen e së martës. Ata kanë rrethuar pallatin, ndërkohë që në katin e tretë qëndronte i vetëm Prudentino. Në orën 04:00 të mëngjesit, forcat speciale kanë shpërthyer derën dhe kanë hyrë brenda. Ai nuk ka kundërshtuar dhe menjëherë i janë vënë prangat. Gjatë kontrollit në banesë, policia i ka gjetur 13 celularë, një sërë dokumentesh banke dhe shumë materiale të tjera, që janë sekuestruar. Ndërkaq, policia ka shoqëruar edhe familjen e tij, por nuk ka rezultuar se ata janë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe janë lënë sërish të lirë. Djali dhe gruaja e mafiozit italian kanë kërkuar shpjegime për orë të tëra dhe në përfundim u është treguar se ai dyshohet si një ndër drejtuesit e “Sacra Corona Unitta”. Gjatë marrjes në pyetje ai nuk ka pranuar të tregojë asgjë për hetuesit shqiptarë dhe as për ata italianë.

Era85 30.09.2010 0 998
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
30.09.2010 (vor 5197 Tagen)
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)