Serbët e veriut të Kosovës do të zhvillojnë sot ditën e dytë të referendumit për të pranuar ose jo institucionet e Kosovës. Ditën e sotme referendum do të mbahet në Leposaviç ndërsa dje votimit u zhvilluan në tre komunat, Mitrovicë, Zubin Potok dhe Zveçan. Sipas mediave kosovare rezultatet paraprake të zgjedhjeve do të bëhen publike gjatë ditës së sotme ndërsa rezultatet përfundimtare do të publikohen më 19 shkurt.
Ndërkohë serbët e veriut të Kosovës nuk i janë përgjigjur masovisht thirrjes për të votuar në referendumin për komunat e veriut. Sipas zëdhënësit të Komisionit, Ljubomir Radoviç pjesëmarrja e serbëve në votimet në tre komunat ka qenë 48 për qind.
Qeveria e Kosovës, ndërkombëtarët dhe Beogradi e kanë konsideruar ilegal referendumin por nuk kanë bërë asgjë për ta ndalur. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka cilësuar referendumin si një akt ilegal i cili do të prodhoj një rezultat të papranueshëm. Sipas tij zgjedhjet në veri në mënyrë të drejtpërdrejtë cenojnë sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe janë në kundërshtim më Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare. “Për me tepër, ky akt i fundit i Serbisë kundër Kosovës, dëshmon qartë ambiciet e sëmura dhe pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën” ka theksuar Thaçi.
Nga ana e tij sekretari për Kosovën në qeverinë serbe Oliver Ivanoviç ka theksuar se me referendumin në veri të Kosovës, serbët “haptazi i janë kundërvënë qeverisë së Serbisë”. Sipas tij, referendumi është organizuar për t`i pozicionuar partitë serbe në prag të zgjedhjeve, dhe se burimet e parave për referendumin janë “ të çuditshme”, gjë për të cilën “pushtetarët lokal në veri mund të kenë pasoja”.
Edhe Bashkimi Evropian është shprehur kundër referendumit të serbëve duke theksuar se zgjidhja për situatën e " veçantë" në veri të Kosovës, mund të arrihet vetëm përmes konsultimeve dhe dialogut, e jo përmes barrikadave apo referendumeve. Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, ka thënë se zyrtarët e Beogradit kanë qenë “të qartë në këtë aspekt”. "Zgjidhja arrihet vetëm përmes paqes”, ka shtuar ajo.
Me gjithë kundërshtimin e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, serbët e veriut votuan në tre komunat veriore dhe pjesën veriore të Mitrovicës. Fletëvotimet e këtij referendumi përmbajnë pyetjen: “A i pranoni institucionet e Kosovës?” - dhe poshtë janë përgjigjet: “Po” dhe “Jo”, mbi të cila duhet të bëhet një shënim nga votuesit.
Organizimi i referendumit pason një gjendje disa vjeçare të ngrirë në veri, ku institucionet e Kosovës si edhe misionet ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e vet në atë pjesë ku kanë funksionuar vetëm institucionet paralele të mbështetura nga Serbia.