Uashingtoni zyrtar thërret për një vizitë “njohjeje dhe konsultimi” në SHBA, kreun e Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Siç mësohet, politikani më i ri shqiptar, së bashku me një grup pune, u nis dje drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Uashington me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kjo vizitë e rëndësishme nga pikëpamja politike për Spahiun, vjen vetëm pak ditë pasi ai dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Burimet bëjnë të ditur se kjo vizitë do të shërbejë për të shpallur publikisht jo vetëm mbështetjen që Aleanca Kuq e Zi ka nga kancelaritë perëndimore, por edhe nismën e shumëdiskutuar të kthimit të kësaj aleance në një parti politike. Zyrtarisht, Aleanca Kuq e Zi deklaron se kjo vizitë zyrtare do të shërbejë për takime të shumta të Spahiut dhe grupit të tij të punës në Senatin dhe Kongresin amerikan. Po kështu, takime interesante pritet të zhvillohen edhe në forume të rëndësishme që kanë selinë në Uashington, siç është edhe Komiteti amerikan i Helsinkit. Përgjatë këtyre takimeve, Spahiu pritet të flasë dhe të lobojë për kauzën e tij “kuq e zi” në mbrojtje të identitetit shqiptar, jo vetëm brenda shtetit tonë, por edhe në vendet fqinje ku jetojnë shqiptarët. Më pas pritet që publikisht, Spahiu të flasë në mënyrën konkrete mbi kohën në të cilën do të themelojë partinë e re dhe për objektivat kryesorë që do të ketë kjo forcë politike. Burimet bëjnë të ditur se përpara se kjo vizitë të konkretizohej, ish-nënkryetari i KLD-së ka zhvilluar takime me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe po kështu me pjesëtarë të tjerë të stafit të ambasadës së SHBA-së. Pavarësisht kësaj vizite, komisioni hetimor i ngritur nga mazhoranca për abuzimet e presupozuara të Spahiut në krye të KLD-së, po vazhdon. Po kështu ky qëndrim i amerikanëve ndaj ish-kreut të KLD-së që tashmë do të jetë drejtues i një lëvizjeje të re politike, nuk pritet të ndalë as sulmet e Kryeministrit Berisha ndaj drejtuesit të Aleancës Kuq e Zi. Kreu i qeverisë, në mënyrë të herëpashershme dhe publike ka atakuar Spahiun, duke e quajtur atë sharlatan dhe një person që ka abuzuar me postin e tij për të bërë të mundur vazhdimin e karrierës edhe pas ndërprerjes së mandatarit si nënkryetar i KLD-së. Së fundmi, anëtarët e mazhorancës në komisionin hetimor e kanë kërcënuar Spahiun se do ta kallëzojnë penalisht në prokurori, për shkak të mosdhënies së informacionit të tij nga ana e KLD-së për sa u përket kërkesave të bëra. Vetë Spahiu ka theksuar se vetëm Gjykata Kushtetuese është institucioni që gjykon mbi veprimtarinë e tij në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por edhe pse kjo gjykatë ende nuk ka dhënë një përgjigje nëse Spahiu ka abuzuar apo jo me postin e tij si nënkryetar i KLD-së, ai ka preferuar të japë dorëheqjen nga ky post, duke deklaruar se do t’i përkushtohet vetëm karrierës ai aktivist i Aleancës Kuq e Zi. Vetë Spahiu ka deklaruar se pozicionet shtetërore janë të përkohshme, ndërsa kauzat e përjetshme.