Lidhja social demokrate e Maqedonisë, edhe pas shfuqizimit të ligjit për regjistrim nga Kuvendi, vazhdon të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria për falsifikimin e procesit si dhe shpenzimin e 14 milion eurove. Sipas LSDM-së është e patolerueshme që Gruevski, Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha institucionet të shtiren sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Nënkryetarja e kësaj partie Ana Pavllovska Daneva theksoi se Qeveria i mori populli 14 milion euro, në një proces të falsifikuar.
“Për shkak se për patriotët e rremë të VMRO DPMNE-së 14 milion euro nuk janë shumë para, për ta kemi një propozim konkret: Kampionët për pazar politik, Gruevski dhe Ahmeti bashkë me zyrtarët e tyre në mënyrë solidare t’i kthejnë paratë popullit, duke i paguar në buxhet 14 milion eurot”, tha Ana Pavllovska Daneva, nënkryetare e LSDM-së.
Ndërsa në reagimin e VMRO-DPMNE-së thuhet se kjo është lojë dyfytyrëshe e LSDM-së.
“Nuk jemi të befasuar nga reagimi i sotëm i LSDM-së. Por duhet të theksojmë domosdoshmërish se në ditët e kaluara teksa në Kuvend, deputetët e LSDM-së brenda në sallë kritikonin vendimin për ndërprerjen e regjistrimit, jashtë tij, në korridoret e kuvendit dhe në restorant pranonin para deputetëve tanë se ky vendim ishte i mirë”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.
Partia e Cërvenkovskit ka bërë edhe një analizë sipas të cilës kryeministri, ministrat, sekretarët shtetërorë të koalicionit qeveritar janë gjithsej 130 zyrtarëve të lartë, ndërsa nëse u shtohen edhe 700 drejtorët e zgjedhur nga ky koalicion, atëherë i bie që secili prej tyre t’i kthejë shtetit nga 16 867 euro. Vetëm kështu mund të shlyhet dëmi në buxhetin e shtetit nga dështimi i procesit të regjistrimit.