Kryetari i Partisë Socialiste kërkoi dje shpërndarjen e Parlamentit shqiptar. Duke folur pas takimit me drejtorin e Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, Pierre Mishel, kreu socialist ka marrë argumentet e opinionit të fundit të KE-së për të konfirmuar shqetësimet e njohura të opozitës. “Për sa i përket një hapi të mundshëm në drejtim të Kryetares së Kuvendit me një mocion mosbesimi, kjo nuk do e zgjidhte problemin, edhe pse asgjë e tillë nuk përjashtohet. Megjithatë, edhe në një rast të tillë, ndeshemi me votën e hapur, ndeshemi me fundin e demokracisë së votës së fshehtë, në një Kuvend i cili është zhveshur tërësisht edhe nga etika formale e trajtimit të çështjeve. Fakti që KE-ja e nënvizon këtë dhe e nënvizon kaq qartë, mjafton për të kuptuar sesa thellë ka shkuar e keqja në rrënjët e këtij Parlamenti që duhet të shpërndahet për t’u dhënë mundësi shqiptarëve ta rikrijojnë me votë të lirë”, tha Rama. Duke e vështruar Parlamentin si pikëtakimin e krizës komplekse që ka mbërthyer vendin, ai ka rinënvizuar kërkesën e PS-së për zgjedhje të reja që tanimë aktualizohet edhe nga dokumenti i fundit i KE-së. Këtë gjë, sipas tij, e dëshmon kualiteti i vendimeve në raport me Shqipërinë, teksa qytetarët e saj do të lëvizin pa viza, vendi i tyre mbetet në klasë lidhur me statusin e vendit kandidat. “Europa u hap krahët shqiptarëve duke i mirëpritur si udhëtarë pa viza në gjithë hapësirën e saj dhe i mbyll derën Shqipërisë për shkak të qeverisë dhe të keqqeverisjes”, ka përsëritur kreu i Partisë Socialiste”, tha Rama. Ai ka ecur më tej, duke bërë një lexim të errët të dokumentit të fundit nga KE-ja, që për shkak të vlerësimit negativ shihet nga PS-ja si premisë apo motivim shtesë për kalimin drejt aksioneve të reja të rrugës. Por një arsye thelbësore për këtë duket të jetë edhe konflikti mes pushtetit vendor dhe atij qendror i manifestuar më së shumti te ligji i ri i taksave vendore që, sipas PS-së, ka prekur autonominë e pushtetit lokal. Kriza në tërësi dhe ndërhyrja në këtë drejtim, pak përpara zgjedhjeve, po aktualizojnë protestat, të cilat sërish mbeten alternativë e fundit për një opozitë, që artikulimin e ka shumë radikal. “I nënvizova z. Mirel, së pari krizën e rëndë potenciale që rrezikon të shpërthejë në ditët në vijim, për shkak të një përpjekje antikushtetuese të qeverisë dhe të Sali Berishës personalisht për të kapur “rob” bashkitë dhe komunat e opozitës me dy hapa... Unë dua të shpresoj dhe uroj që Sali Berisha dhe qeveria nuk do t’i hedhin këto dy hapa, por njëkohësisht dua të them se ne jemi në përgatitje për të përshkallëzuar një protestë të panjohur më parë në emër të të gjitha atyre qyteteve dhe komuniteteve që ne përfaqësojmë...”, deklaroi Edi Rama. Kështu, ndërhyrjet e qeverisë me ligjin për taksat duket të ketë thyer apo provokuar kufijtë e pushtetit në Shqipëri, i cili në kontekstin e krizës ekonomike po priret drejt një centralizimi të diktuar nga politika. Në këtë drejtim veprimet e ekzekutivit të drejtuar nga Sali Berisha po shihen si përpjekje për të paralizuar edhe njësinë kryesore në vend, Bashkinë e Tiranës, e cila drejtohet prej disa mandatesh nga socialistët, duke u kthyer me emrin e Edi Ramës në një bastion të vështirë. Përtej formatit të ballafaqimit tradicional me Sali Berishën, gjithsesi kreu i PS-së ka përsëritur ofertën socialiste, e cila mbetet një dokument i patrajtueshëm për shumicën, e cila ka alibi të konsoliduara. “Në emër të së nesërmes, në emër të domosdoshmërisë që ky tren i humbur të jetë i fundit dhe që Shqipëria të kapë trenin e ardhshëm, nënvizoj me forcë se Sali Berisha duhet të lexojë ofertën tonë të re ashtu siç është e shkruar dhe duhet ta pranojë atë në emër të domosdoshmërisë për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës”, deklaroi kreu socialist