Beitragsansicht

Marrëveshja për bashkëqeverisjen

Me listën “Doktor Ibrahim Rugova”, marrëveshja përfundimtare pritet të zyrtarizohet të dielën.

Dy partnerët kryesorë të koalicionit Hashim Thaçi si kryeministër dhe Behgjet Pacolli kanë premtuar se do të bashkëpunojnë për ndërtimin e një Kosove demokratike, pjesë të strukturave euro atlantike dhe në interes të qytetarëve.

“Koalicioni qeverisës do të jetë i gjerë dhe gjithëetnik. Do të punojmë si ekip, do të implementojmë së bashku programin”, tha Thaçi.

“Kemi një program shumë të thjeshtë që të krijojmë një prespektivë për qytetarët  e Kosovës”, theksoi Pacolli.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, koalicioni për Kosovën e re merr postin e një zëvendëskryeministri dhe tri posteve ministrore.

Ato janë forca e sigurisë së Kosovës, ministër i së cilës pritet të jetë ish kryeministri Agim Çeku, Ministria e Shëndetësisë me në krye Ferid Aganin dhe Ministria e Tregtisë të cilën do ta drejtojë Mimoza Kusari Lila.

Nga ana tjetër nuk duket se janë sistemuar mjaft mirë përfaqësuesit e komunitetit serb.

Në qeverinë e ardhshme ata kanë marrë postin e një zëvendëskryeministri, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, atë të kthimit dhe komuniteteve dhe Ministrinë e Punës dhe mirëqenieve sociale.

Grupit parlamentar “gjashtë plus”, ndërkaq i takon Ministria e Ambjentit.

Partia Demokratike e Kosovës ka rezervuar për vete ministritë që mbajnë peshën kryesore si për nga rëndësia shtetërore ashtu edhe për nga ndarja buxhetore që mund t’ju bëhet.

Ministria e Jashtme, ajo e Ekonomisë, ajo e Arsimit, Ministria e Transportit, Drejtësisë, Administratës publike dhe dy zëvendëskryeministra do t’i takojnë partisë së kryeministrit Thaçi.

Ende nuk dihen emrat e përbërjes së re qeveritare, por zoti Thaçi tha se do të prezantojë përbërjen e re qeveritare të hënën në Kuvend, ditën që pritet të bëhet edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës.

I pyetur nga Top Channel nëse janë përmbushur kërkesat e  ndërkombëtarëve për një qeveri me duar të pastra, kryeministri Thaçi u përgjigj.

“Përcaktimi për ndërtimin me njerëz kredibël është përcaktim i imi, do të punojmë për të formësuar atë ekip që do t’u shërbejë qytetarëve për katër vitet e ardhshme, ky partneritet e ka bekimin e plotë të ndërkombëtarëve, të hënën do të prezantohen edhe qeveria edhe Presidenca”, tha Thaçi.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda partive në koalicion se kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli akoma nuk i ka siguruar votat për t’u zgjedhur president i Kosovës.

Sipas burimeve, janë 4 deri në 8 deputetë nga radhët e PDK-së që nuk do të votojnë për Pacollin president.

Por sipas të njëjtave burime kreu i AKR-së i cili deri më tani është i nominuari i vetëm për president të Kosovës, po lobon në sigurimin e votave nga deputetet e LDK-së , AAK-së dhe “Vetëvendosjes”.

“Besoj se të zgjedhurit e popullit të Kosovës do të votojnë që unë të jem president i Kosovës dhe me fillimin e punës do të fillojë implementimin e të gjitha obligimeve që të detyron Kushtetuta”, tha Pacolli.

I pyetur nga gazetarët për rrezikun e braktisjes së koalicionit nga serbët për shkak të dialogut me Serbinë, kryeministri Thaçi la të nënkuptohet se nuk do të ketë arsye për reagime të tilla, sepse me Serbinë do të bisedohet vetëm për çështje teknike të cilat, sipas tij, kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe hapjen e përspektivës europiane.

Era85 20.02.2011 0 1012
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)