Me mijëra qytetarë të Tiranës janë bërë pjesë e festimeve të organizuara nga Ambasada Amerikane me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së saj.
Qytetarë nga të gjitha grupmoshat kanë mbushur rrugën pedonale "Murat Toptani" duke vizituar tendat informuese për projektet e Ambasadës realizuar gjatë këtyre 20 vjetëve.
Hapjesë së ceremonisë i ka paraprirë orkestra e ushtrisë shqiptare.
Në fjalën e hapjes së kësaj ceremonie, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, falenderoi popullin shqiptar që lejoi SHBA-në të bëhej pjesë e zhvillimit të tij.
“Falemnderit që na lejuat të jemi pjesë e juaja në këto 20 vjet kur keni ndërtuar Shqipërinë. Dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit, pa të cilët ky eveniment nuk do të ishte organizuar. Gjithashtu falenderoj edhe mediat për pasqyrimin e këtij aktiviteti”, u shpreh Arvizu.
Nga ana e tij, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, shprehu mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që ka luajtur SHBA në ngjarjet e rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
“Për ne shqiptarët, rihapja e ambasadës amerikane 20 vite më parë ishte një ngjarje e madhe dhe e rëndësishme. SHBA për ne është më shumë se një vend, është një ide e madhe. Ideja se liria është e mundur, se njerëzit janë krijuar për të qenë të lirë dhe se vetëm në liri njeriu mund të realizojë potencialin e tij të plotë; ideja se demokracia jep rezultat dhe duhet dëgjuar zëri i qytetarëve”, theksoi Basha në fjalën e tij përshëndetëse.
“Në këto 20 vite miqësi ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar në lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen që dha SHBA në pranimin e Shqipërisë në NATO. Me këtë rast kujtoj djemtë shqiptarë që shërbejnë në mbrojtje të lirisë rreth e rrotull botës”, shtoi kryebashkiaku.