Shkup-Përfaqësuesit ndërkombëtar në Shkup janë të zhgënjyer nga prishja e bashkëpunimit midis PDSH dhe RDK-së.
Një diplomat evroperëndimor tha se nuk është lajm i mirë prishja e këtij bashkëpunimi, mirëpo megjithatë respektohet autonomia dhe veprimi politik i çdo subjekti politik.
“Ne kemi mirëpritur bashkëpunimin për të qenë një opozitë më e fuqishme, mirëpo jemi të befasuar nga prishja e këtij bashkëpunimi të deklaruar akoma pa bërë asnjë hap apo pa formalizuar ate. Mendojmë se është mirë që lideri i secilës parti të arsyetoj para elektoratit se përse u prishën marrëdhëniet dhe me këtë krijohen kushte që partitë e maxhorancës të jenë më komode përballë një opozite të dobët”, theksoi një diplomat perëndimor.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, PDSH dhe RDK përmes liderëve Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani shpallën nismën e bashkëpunimit.
“Bashkërisht u pajtuam se ky bashkëpunim duhet të vlerësohet pozitiv dhe nga kundërshtarët politik, nuk bëhet kundër askujt, por janë dy çështje thelbësore që na drejtuan, na orientuan drejt këtij bashkëpunimit: gjendja e shqiptarëve dita ditës bëhet më e rëndë këtu në Maqedoni dhe e dyta, procesi integrues duhet të zhbllokohet. Ky bashkëpunim shtylla kryesore do ti ketë këto dy çështje”, ka theksusar atëkohë Thaçi.
Nga ana tjetër, kryetari i RDK-së, Rufi Osmani theksoi se me “PDSH-në lidhen platforma dhe programe të ngjashme, shqetësime të përbashkëta se shumëçka në Maqedoni aktualisht nuk shkon në drejtimin e duhur, ramë dakord që të bëjmë një grup punues i cili do të punon në përcaktimin e çështjeve që janë në interes lokal, nacional, parlamentar”.
Ata u dakorduan për një plan dinamik në funksion të realizimit të objektivave të përbashkëta që janë në dobi të shqiptarëve dhe që do të jenë në funksion të tejkalimit të problemeve të shumta të vendit në veçanti zhbllokimit të procesit të integrimit të vendit.