Ky fenomen më së shumti ka prekur rininë e qytetit, e cila pavarësisht se ia del të shkollohet, punësimi është shumë i vështirë, të paktën brenda në qytet.
Naim Behrami, jurist i diplomuar, i quan të kota shpresat e tij se pas diplomimit do të punësohet.
“Në komunën e Mitrovicës hapen shumë pak konkurse kur është fjala për juristë. Kohët e fundit kam parë vetëm dy. Nëpër institucione nuk mendoj të konkurroj sepse konkursi bëhet sa për sy e faqe. Kam provuar në Dhomën e Avokatëve por asgjë”, deklaron ai.
Naimi shprehet se do të dëshironte që sektori privat të ishte më i zhvilluar. Por, bizneset në Mitrovicë më shumë janë të angazhuara në tregti dhe shitje me pakicë.
Kioskat me mallra bazike, floktaritë, kafenetë apo ndonjë restorant më luksoz ndodhen në çdo cep të Mitrovicës. Siç ndodh kudo, ato menaxhohen nga pronarët e tyre dhe rrjedhimisht punësimi bëhet në baza familjare.
Nga ana tjetër, një ekspozitë me fotografi e improvizuar nëpër rrugët e Mitrovicës në prag të ditës Z, nuk ndërron aspak realitetin e qytetit me ekonomi në amulli.
Në pozitë akoma më të vështirë ekonomike janë 29 familje nga veriu i Kosovës, të cilat janë të vendosura në një qendër kolektive në Mitrovicë.
“Jam shumë keq. Unë nuk marrë as ndihmë sociale. Kjo është një katastrofë”, deklaron Zara Shala, banore e Mitrovicës.
Analisti nga ky qytet, Nexhmedin Spahiu thotë se Mitrovica është e diskriminuar edhe përsa i përket ndarjes së buxhetit nga pushteti qendror.
“Aktualisht, nga qeveria qendrore Mitrovica merr 5 herë buxhet më të vogël se sa Prizreni”, thotë ai.
Ndërsa analistja Engjellushe Morina shprehet: “Përveç cindustrializimit që i ka ndodhur Mitrovicës, ekziston edhe ndarja që i ka ndodhur ekonomisë, sepse ekziston ndarja në ekonomi. Është ajo e veriut, ku produktet vijnë nga Serbia dhe ajo e jugut, ku produktet vijnë nga Kosova dhe këto dyja nuk bashkëpunojnë mes tyre”.
Rimëkëmbja ekonomike e Mitrovicës, sikurse e gjithë Kosovës, por edhe zgjidhja e problemit politik, pa dyshim se është pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 12 dhjetorit.