Beitragsansicht

Prokuroria, asnjë provë për urdhrat vrasës të 21 janarit

Një muaj pas katër vrasjeve të demonstruesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, prokuroria nuk ka ende asnjë provë që të vërtetojë nëse drejtuesit madhorë të gardës, për të cilët u lëshuan urdhra ndalimi që në datën 22 janar, kanë dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve, megjithëse këta të fundit kanë qenë të paarmatosur dhe jashtë godinës kryeministrore. Grupi hetimor i ngritur nga Prokuroria e Tiranës ka kërkuar më kotë tabulatet e drejtuesve madhorë të Gardës së Republikës, të cilat nuk i kanë shërbyer këtij hetimi. Një tjetër kërkesë “në ajër” ka qenë për pajisjet me të cilat mund të kishin komunikuar me njëri-tjetrin, megjithëse garda tha se nuk disponon një të tillë. Zhbllokimi i ngërçit midis prokurorisë dhe gardës ka shërbyer vetëm që akuza të “numërojë” gardistët e lënduar, ndërsa ka bërë “pakt” që titullarët e gardës të mos ndalohen dhe arrestohen. Edhe zv.komandanti i gardës, Alfred Ahmetcenaj, megjithëse u mbajt i shoqëruar për 48 orë, u la i lirë nga gjykata. Ajo çka i druhej mbarë opinioni publik është se prokuroria po e çon çështjen drejt “vrasjeve nga pakujdesia” dhe jo vrasjeve me “urdhër nga lart”, siç dhe dyshohej fillimisht.

Megjithatë “ndërhyrjet” e shumëllojta në grupin hetimor i kanë kthyer këta të fundit në ekzekutorët e planit të qeverisë për të nxjerrë se viktimat e 21 janarit janë vrarë nga pakujdesia. Zyrtarisht grupi hetimor deklaron se dokumentet e sekuestruara në gardë nuk hedhin dritë mbi asnjë veprim konkret për mbarëvajtjen e demonstratës së 21 janarit, por thjesht planin e masave. Madje, dokumentet e gardës nuk zbardhin se kush dha urdhër për të qëlluar në ajër ose drejtpërdrejt ndaj turmës. “Janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale armë të efektivave të Gardës së Republikës. Janë sekuestruar urdhrat e planit të masave dhe instruktazhit të datës 21 janar 2011, si dhe urdhrat për numrin e gardistëve që kanë qenë ditën e ngjarjen në objektin e Këshillit të Ministrave”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.

“Mbrojtja” me fanatizëm që i ka bërë mazhoranca Gardës së Republikës ka sjellë që prokuroria të mos “gjejë” asnjë provë për “urdhrat vrasës të 21 janarit”. Nëse të tilla dokumente apo urdhra verbale nuk mund të merren, atëherë akuza ndaj gardistëve që ndodhen në qeli (vetëm njëri me masën burg pa afat, ndërsa tre të tjerë me masën 30 ditë burg) do të jetë vrasja nga pakujdesia. Skenari është shumë i qartë dhe ka shumë gjasa që të ndjekë precedentin “Gërdeci”. Vetëm një skemë e komunikimit midis zyrtarëve të lartë të shtetit dhe krerëve të gardës është zbardhur, kjo gjatë komisionit hetimor të 21 janarit. Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, tha se “kam komunikuar me ministrin e Brendshëm”, ndërsa saktësoi se Garda e Republikës është në varësinë e Ministrisë së Brendshme. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, para të njëjtit komision, tha se ka pasur komunikime në telefon me policinë dhe gardën, ndërsa saktësoi se ka komunikuar në telefon me drejtuesit e Gardës dhe me Kryeministrin, të cilët ndodheshin në të njëjtën godinë, pra në Kryeministri. Ky i fundit tha se ka qenë në komunikim periodik me ministrin Basha, ndërsa pyetjes nëse ndihej i kërcënuar, iu përgjigj se “demonstruesit brenda nuk hynin kurrë, po të ndërmerrnin një sulm frontal do të ndërmerrnin një disfatë frontale”.

Era85 20.02.2011 0 1045
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)