Sipas raportit përfundimtar të Komisionit Europian, Shqipëria ka shënuar progres të mirë në përmbushjen e tre kushteve të mbetura për procesin e liberalizimit të vizave. “Top Channel” mundi të sigurojë dokumentin me shkrim, i cili u është shpërndarë dje Parlamentit dhe vendeve anëtare të BE-së. Kriteri i parë ka të bëjë me zhvillimin e një strategjie dhe politikave për të mbështetur riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar: "Është bërë progres i mirë. Strategjia për integrimin e qytetarëve shqiptarë të riatdhesuar 2010-2015 u miratua në qershor dhe shoqërohet nga një plan aksioni për zbatimin e tij efikas. Por pas vlerësimeve pozitive për kriterin e parë, komisioni vëren se përpjekjet e autoriteteve shqiptare duhet të vijojnë edhe më tej: "Në përgjithësi, përpjekjet për të garantuar zbatim efikas të strategjisë së re dhe planit të aksionit duhet të vijojnë. Rëndësi të veçantë do të ketë bashkëpunimi i ngushtë i të gjitha agjencive të përfshira, mbledhja dhe analiza efikase e të dhënave. Do të ishte e këshillueshme që të rishikohej rregullisht strategjia dhe plani i aksionit, sipas eksperiencës së përftuar”.