vetëm për njërin dekret. Fatmir Hoxha është kandidati i vetëm për të cilin mazhoranca në Komisionin e Ligjeve i dha pëlqimin dhe besueshmërinë e saj për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për tre kandidatët e tjerë, Artan Hoxha, Ardian Leka dhe Edlira Jorgaqi, demokratët dhanë një bum akuzash dhe argumentesh për të mos i votuar ata në seancën e së enjtes në Parlament. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet me votim nominal me shumicën e deputetëve pjesëmarrës në seancën e Parlamentit. Në rast se opozita do të qëndrojë në sallë dhe do të marrë pjesë në votim, atëherë mazhoranca për herë të parë, në mënyrë të hapur, do t’i ketë punët pisk me numrat në Kuvend. Në Komisionin e Ligjeve, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, e dha votën e tij abstenim lidhur me tre kandidaturat e rrëzuara nga mazhoranca. Po kështu, pozitivitetin ndaj kandidaturave të Presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese e ka dhënë edhe Partia për Drejtësi dhe Unitet.
Sipas relacionit përkatës, për kandidaturën e Fatmir Hoxhës vlerësohej parimi i integritetit moral, profesional, i pavarësisë dhe paanësisë së tij. Në këtë kuadër, Komisioni i Ligjeve vendosi t’i rekomandojë seancës plenare miratimin e kësaj kandidature si anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Relacioni i kandidatit Fatmir Hoxha është lexuar nga deputeti demokrat, Ylli Lama.
Për kandidaturën e Edlira Jorgaqit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, demokratët në Komisionin e Ligjeve theksuan se zonja Jorgaqi gjatë seancës dëgjimore ka treguar mungesë koherence, tendencë për devijim nga pyetjet dhe parregullsi të rënda në raport me kërkesat e kuadrit ligjor dhe në raport me organet shtetërore. Për rrjedhojë, Komisioni i Ligjeve vendosi t’i rekomandojë seancës plenare mosdhënien e pëlqimit.
Komisioni i Ligjeve, me votat e demokratëve, i rekomandoi seancës plenare mosdhënien e pëlqimit për kandidaturën e Artan Hoxhës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Në relacionin e demokratëve theksohet se “gjatë viteve të ushtrimit të funksioneve të tij, nuk ka pasur rritje profesionale, ndërkohë që nënvizohen funksionet e tij të ushtruara para viteve ’90 në shërbim të diktaturës”.
Në relacionin për kandidatin Ardian Leka theksohej se kandidati nuk i dha mundësinë Komisionit të Ligjeve që të krijojë një perceptim lidhur me shkallën e njohurive të tij në sferën e veprimtarisë në Gjykatën Kushtetuese dhe për çështje të së drejtës në përgjithësi. Po ashtu, në relacion theksohet se kandidati në fjalë ka pasur marrëdhënie kontradiktore me legjislacionin fiskal dhe qartazi ka refuzuar të njohë dhe të pranojë detyrimet që atij i burojnë nga ligji.
Anëtarësia socialiste në Komisionin e Ligjeve theksoi se ky ishte sulm i hapur ndaj Presidentit Bamir Topi, pasi pretendimet e PD-së nuk qëndrojnë. Deputeti socialist, Bashkim Fino, bëri me dije se arsyeja e kundërshtimit të kandidaturave ka si qëllim të vetëm sulmin ndaj Presidentit. “Tre kandidatët e tjerë kanë performancë edhe më të mirë se ajo që keni votuar. Kjo dëshmon qartë se me kundërshtimin dhe sulmin që i bëhet në këtë mënyrë Presidentit, synohet të vihet nën strehën e qeverisë një institucion i pavarur, siç është Gjykata Kushtetuese”, tha Fino. Kryetari i Komisionit i ka hedhur poshtë pretendimet e deputetit Fino, duke i cilësuar të padrejta. “Kushtetuesja nuk është ushtari ynë dhe relacionet nuk janë politike”, tha Rusmali.
Kandidatura e Artan Hoxhës ka ndezur debatin më të madh në Komisionin e Ligjeve mes demokratëve dhe socialistëve. Socialistja Vasilika Hysi i është drejtuar relatorit të kandidatit Artan Hoxha, deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, duke i thënë se “zoti Alibeaj ka moshën, aq sa vite përvojë ka zoti Hoxha. Citimi që bëni ju zoti Alibeaj lidhur me ligjin e lustracionit nuk ka vend. U referohesh vendimeve që Gjykata Kushtetuese dhe Venecia i kanë rrëzuar”. Kundërpërgjigjja e deputetit Aliebaj për deputeten Hysi ka qenë se “zoti Hoxha ka indiferentizëm potencial në ushtrimin e detyrës”. Nga ana tjetër, deputeti Sajmir Tahiri ka theksuar se Partia Demokratike po bën gjykim politik për dekretet e Presidentit Bamir Topi.