Ekspertët europianë që monitorojnë përdorimin e drogës në të gjithë kontinentin thonë se metodat e trafikimit po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe se autoritetet po përballen me një rritje të qëndrueshme të numrit të drogave të reja në treg. Qendra Monitoruese Europiane e Drogës dhe Varësisë nga Droga thotë në raportin e saj vjetor se vihen re teknika të reja dhe të zgjuara trafikimi, përfshirë përzierjen e drogave në plastikë dhe rrobë. Agjencia e BE-së bën thirrje që politikat në vendet anëtare të bazohen fuqishëm në prova, në një kohë që shkurtimet e fondeve publike mund të zvogëlojnë nivelin e parave që përdoren për të përballuar problemet me drogat. Raporti thotë se rreth 14 milionë të rritur në Europë kanë provuar kokainën dhe kjo drogë është më e përdorshme në Danimarkë, Islandë, Spanjë dhe Britani të Madhe. Numri i vdekjeve për shkak të përdorimit të saj është rritur në 1000 çdo vit, ndërsa pasojat e elementeve që përdoren për ta holluar atë mbeten përgjithësisht të panjohura. Kanabisi, sipas raportit, mbetet droga më shumë e përdorur në Europë, ndërsa niveli i përdorimit në Europën Lindore po i afrohet masës që përdoret në vendet e Europës Perëndimore. Përdorimi i methampethamine, që është një problem i njohur në Republikën Çeke, po përhapet në vendet fqinje, për shkak të krimit të organizuar. Po dalin lloje të shumta drogash sintetike. Programet e trajtimit, megjithatë, ende dominohen nga personat e varur nga heroina. Mosha e tyre mesatare po rritet dhe raporti sugjeron se plotësimi i nevojave shëndetësore nga përdoruesit e vjetër do të jetë një sfidë në të ardhmen. Me gjithë ndryshimet në politikat kombëtare ndaj drogës, raporti vë në dukje një vështirësi në Europë, që i trajton të droguarit si pacientë, në kontrast me regjimet më ndëshkuese gjetkë.