Drejtues të partive shqiptare janë përpjekur të tregohen të përmbajtur me kritikat e tyre, por nga ana tjetër kanë deklaruar se veprimi i Topit krijon tendenca për favorizime dhe keqpërdorime politike.
“Ne jemi të indinjuar nga një veprim i tillë që nuk duhet të kishte ndodhur, sidomos tani që jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Ne jemi të vetëdijshëm se Ali Ahmeti këto takime i shfrytëzon për qëllime politike dhe manipulime”, kanë deklaruar burime nga PDSH.
Ndërsa partia tjetër Demokracia e Re ka kërkuar që presidenti Topi të japë sqarime përse nuk është takuar me liderët e tjerë politike shqiptarë.
“Në këtë periudhë pala shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për inkurajim politik, duke parë situatën e rëndë të krijuar nga qeverisja ku bën pjesë edhe Ali Ahmeti”, janë shprehur drejtues të DR, të cituar nga agjencia e lajmeve “INA”.