Pesë persona janë arrestuar dje në Britaninë e Madhe nga policia në lidhje me një kërcënim të mundshëm ndaj Papës, i cili është duke kryer vizitën e tij të parë zyrtare në Angli. Arrestimet janë bërë pasi oficerët e kundërzbulimit kanë marrë informacione në lidhje me një kërcënim të mundshëm në adresë të Atit të shenjtë. Ata janë të gjithë pastrues rrugësh dhe u kapën ndërsa ndodheshin në qendër të Londrës. Ndërkaq, policia është duke ndjekur të gjitha pistat e mundshme ku të çojnë informacionet paraprake. Të arrestuarit nuk janë qytetarë britanikë. Ata janë të gjithë të punësuar për një kompani që merret me pastrimin e ambienteve publike në Londër. Ata janë arrestuar ndërsa po përgatiteshin që të merrnin turnin e punës. Në një deklaratë zyrtare të Scotland Yard thuhet se të arrestuarit janë vënë në pranga në bazë të informacioneve të Zyrës së Kundër Terrorizmit dhe se për ta kishte informacione që të çonin në idenë e kryerjes së akteve terroriste. Ata janë të moshave të ndryshme, duke filluar nga më i riu një 26-vjeçar e deri te më i vjetri, një 50-vjeçar dhe mendohet se janë algjerianë. Në vijim të arrestimeve, policia ka filluar kërkimet në depot dhe shtëpitë e tyre në veri të Londrës. Deri më tani nuk është njoftuar për gjetjen e ndonjë arme, apo të ndonjë materiali të rrezikshëm. Megjithatë informacionet që kanë çuar në arrestimin e pesë të dyshuarve kanë qenë të mjaftueshme për t’u vënë atyre prangat dhe sipas policisë është vetëm çështje kohe që të gjenden materialet komprometuese për ta. Këto arrestime nuk e kanë ndryshuar ndërkohë itinerarin e vizitës së Papës në Britaninë e Madhe, që është vizita e parë e një pape në këtë vend, e organizuar pas një ftese zyrtare të bërë nga Mbretëresha. Ndërkaq, pas këtij akti, zëdhënësi i papës, at Federico Lombardi, tha se Vatikani ishte plot besim se policia britanike do të merrte të gjitha masat e nevojshme për të vendosur dhe pasur situatën në kontroll. Grupi me të cilin Papa ka ardhur për të bërë vizitën në Britani, është shprehur se Papa është i qetë.
Policia britanike ka muaj që po merret me sigurimin e masave ekstreme të sigurisë për këtë vizitë. Janë plane të cilat përfshijnë vlerësimet e të gjitha rreziqeve të mundshme dhe potenciale që kanë të bëjnë edhe me mbulimin e transportit publik. Në tërësi, fatura e gjithë shpenzimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e Papës gjatë kësaj vizite është 1 milion paund. Edhe gazetarë e analistë të ndryshëm e kanë cilësuar situatën dhe masat e sigurisë të nivelit më të lartë.