Sindikatat, kundër reformës së pensioneve: 3 milionë në shesh 24/09/2010
Sarkozi thotë se ishin shumë më pak dhe këtë e quan fitore të tij
Sindikatat franceze kanë deklaruar se në protestat më të fundit kanë marrë pjesë rreth 3 milionë persona që kanë dalë kundër reformës së sistemit të pensioneve. Por, ndërkohë, shifrat e referuara nga policia janë shumë më të vogla nga ato të sindikatave. Sipas policisë, pjesëmarrja në protesta është 4 herë më e ulët nga sa kanë pretenduar sindikatat. Reforma e pensioneve, që ndër të tjera pritet të rrisë moshën e daljes në pension, nga 60 në 62 vjeç, ka kaluar tashmë në Dhomën e Ulët të Parlamentit francez. Ndërkohë që pritet debatimi i saj në Dhomën tjetër më 5 tetor, ku mund të aprovohet lehtësisht. Presidenti Sarkozi thotë se kjo reformë është e domosdoshme për të përballuar problemet e mëdha që ka vendi me deficitin buxhetor. Sarkozi, i cili ka komentuar numrin e ulët të pjesëmarrësve në demonstrata, ka deklaruar se kjo është një fitore për reformën, sepse tregon se njerëzit kanë filluar që ta kuptojnë rëndësinë dhe nevojën për ndërmarrjen e saj. Por ky është vetëm qëndrimi i qeverisë dhe Presidentit, ndërkohë që sindikatat vazhdojnë të këmbëngulin kundër kësaj reforme dhe të flasin për shifra mjaft të larta të pjesëmarrësve në protesta. Sipas reformës aktuale të pensioneve, si meshkujt, ashtu edhe femrat dalin në pension në moshën 60-vjeçare nëse kanë paguar sigurime shoqërore për 40 vjet, edhe pse nuk mund të marrin një pension të plotë deri në moshën 65-vjeçare. Reforma e re e qeverisë kërkon që nga 60, mosha e tyre të shtyhet deri në 62 për të mbuluar kështu deficitin buxhetor. Për opozitën dhe sindikatat kjo rritje është një barrë më shumë mbi supet e punëtorëve dhe nëpunësve francezë.