Sirianët votuan dje për kushtetutën e re, me gjithë luftimet në të gjitha anët e vendit mes forcave opozitare dhe atyre besnike të presidentit Bashar Al Assad.
Më shumë se 14 milionë sirianë u thirrën në kutitë e votimit për të votuar ndryshimet kushtetuese. Nëse projektkushtetuta aprovohet, atëherë brenda 90 ditësh do të mbahen zgjedhje parlamentare. Opozita refuzon projektkushtetutën, sepse ajo nuk kufizon pushtetin e presidentit. Ajo e ka cilësuar votimin në kushtet e dhunës si një farsë dhe ka bërë thirrje për bojkotim. Të rejat e kësaj kushtetute kanë të bëjnë kryesisht me pozicionin monopolist të qeverisë në pushtet, Partisë Baath dhe kufizimin e kohës së qëndrimit në pushtet të presidentit, dy herë nga shtatë vjet. Por për herë të parë lejohet krijimi i partive të reja. Opozita druhet se në të ardhmen, vetëm grupimet e afërta me qeverinë mund të ngrenë parti. Në Damask njerëzit kanë shkuar për të votuar, edhe pse dhuna nuk ka ndaluar për asnjë çast në vend. Vetëm dy ditët e fundit mendohet se janë vrarë 140 vetë, ndërsa që nga fillimi i protestave, 11 muaj më parë, ky numër i ka kaluar 7 mijë. Edhe përfundimi i konferencës “Miqtë e Sirisë” nuk solli asgjë të re për sa i përket ndryshimeve në vend. U ra dakord për ndihmë humanitare dhe sanksione të ashpra kundër qeverisë së Bashar al-Assad, por jo ndërhyrje ushtarake nga jashtë, tha ministri i Jashtëm tunizian, Rafik Abdessalam, në Tunizi, në përfundim të konferencës përkatëse. Me gjithë unanimitetin e shprehur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në deklaratën e tyre të përbashkët, ajo që Abdessalam dhe homologia e tij amerikane, Hillary Clinton prezantuan si sukses të madh, për shumë shtete pjesëmarrëse nuk ishte i mjaftueshëm. Në kuadër të konferencës u vunë re disa pika mospajtimi brenda bashkësisë ndërkombëtare. Sidomos çështja e një ndërhyrjeje ushtarake shkaktoi debate të nxehta. "Ne jemi kundër armatosjes së opozitës, por një trupë paqeruajtëse të Ligës Arabe do të mund ta imagjinonim", - tha Adnen Mnasser, zëdhënës i presidentit tunizian. Por kjo duhet të mbetet një çështje e brendshme arabe, dhe as shtetet fqinje të Sirisë nuk duhet të marrin pjesë në mision, për të penguar zgjerimin e konfliktit", - theksoi ai. Edhe qeveria e Katarit është e hapur ndaj një zgjidhjeje të tillë. Vetëm Arabia Saudite bëri thirrje për armatosjen direkte të opozitës siriane nga jashtë. Përfaqësuesit europianë u shprehën në Tunis më të rezervuar. Ministri i Jashtëm gjerman tha se, "qëllimi i qartë i konferencës është një zgjidhje politike". Por kjo është e mundur vetëm në qoftë se regjimi i Assad-it ndërpret dhunën. "Ditët e Assad-it janë të numëruara", - tha Westerwelle. Homologu i tij francez, Alain Juppé nuk do që të distancohet krejtësisht nga një zgjidhje ushtarake, si ajo që u propozua nga Tunizia, megjithatë kjo është e mundshme vetëm me një mandat të OKB-së. Presidenti tunizian, Moncef Marzouki kërkoi një zgjidhje jemenite për konfliktin në Siri: imunitet dhe mërgim në Rusi për Assad-in dhe udhëheqjen siriane. Kjo do t'i mundësonte presidentit sirian një tërheqje të rregullt dhe pa humbur deri në fund dinjitetin. Në të njëjtën kohë me këtë veprim mund të merrej përsëri në bord bashkësia ndërkombëtare. Moska, ashtu si dhe Pekini, e kishte anuluar pjesëmarrjen në konferencë. Kështu, në Tunis munguan dy mbështetësit më të rëndësishëm të Sirisë