Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi në mesazhin e fundvitit theksoi se viti 2011 ka qenë vit i vështirë për shqiptarët në Maqedoni.
"Gjithçka ka ngecur në vitin e kaluar, shpresat duhet t'i kemi për vitin e ardhshëm, por unë nuk pres ndonjë përmirësim. Derisa bashkësia ndërkombëtare nuk merr ndonjë hap më serioz drejt disiplinimit të kësaj Qeverie, shpresat janë të vogla", ka theksuar kreu i PDSH-së.
Duke komentuar punën e qeverisjes aktuale, Thaçi deklaroi se Qeveria aktuale është nacionaliste dhe naziste. "Nacionalizmi dhe nacizmi i kësaj Qeverie është realisht antishqiptar, nuk është anti-grek. Besoj se është koha e fundit që ne si shqiptarët të themi të gjithë, se ky shtet është edhe i shqiptarëve dhe neve defitinitivisht na konvenon rruga e ndryshimit të emrit, ku të gjithë shqiptarët do të identifikohen me emrin e ri të këtij shteti", tha kreu i PDSHsë, Menduh Thaçi
Kryetari i PDSH-së ka kritikuar dhe është shprehur kundër Këshillit organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit.
"Asgjë e çuditshme, vetëm diçka kishte të re në këtë Këshill, ishte një lukuni e vjetër e Ali Ahmetit, një hipokrizi e vjetër, por kemi një hipokrit të ri-Zamir Dikën, rektorin e UEJL-së, që bën pjesë në këtë lukuni. Unë e njoh një këshill për organizimin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe flamurit, është këshilli i Qeverisë shqiptare ku kryetar është ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili më bëri telefon personalisht dje dhe kërkoi prej meje që partia jonë të angazhohet në këtë drejtim dhe ti propozojë deri më 15 janar këshillit të qeverisë shqiptare mënyrat dhe variantet që ne i parashohim", tha Thaçi.
Lidhur me kontestin e emrit, Thaçi është shprehur se shqiptarëve u konvenon që të ndryshohet emri. "Unë mendoj se shqiptarët duhet hapur ta thuan qëndrimin e vet, qëndrim i cili është pro qëndrimit të Greqisë. Lufta e Greuvskit dhe e maqedonasve për ta ruajtur emrin maqedon dhe për ta lidhur trashëgiminë e territorit me identitetin kombëtar, është veprim antishqiptar nuk është veprim antigrek", theksoi kreu i PDSH-së.