Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka bërë thirrje dje qeverisë dhe institucioneve shtetërore që të mbajnë në kontroll situatën, duke iu gjendur banorëve në vështirësi, por edhe të menaxhojnë gjendjen në mënyrë që të parandalojnë kriza të reja që mund të krijohen nga shkrirja e dëborës. Në një vizitë në Shkodër, konkretisht në hidrocentralin e Komanit, kreu i shtetit shqiptar tha: “Unë kam bindjen që jo vetëm me motivimin tuaj, me profesionalizmin, por edhe me mundësitë që na jep sot teknologjia moderne e parashikimit të motit do të kemi mundësitë që t’i menaxhojmë të gjitha situatat, duke i pasur nën kontroll të plotë. Kjo situatë mund të konsiderohet edhe për perspektivën si një mundësi për të rritur kapacitetin ujëmbledhës të baseneve të hidrocentralit dhe kjo përkthehet ndoshta në sensin optimist të fjalës, në shërbim të komunitetit dhe për energjinë elektrike të garantuar për muajt që vijnë”. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkoi dje nga Komuna Temal e Qarkut të Shkodrës që të gjitha energjitë në vend të bashkoheshin larg ngjyrave politike për të ndihmuar zonat e emergjencës që të dalin nga kjo situatë e vështirë. Në një vizitë në zonat e dëmtuara nga moti i keq, kreu i shtetit dha mesazhin e bashkimit në këtë situatë të vështirë, duke ftuar edhe sektorin privat, përveç atij shtetërorit, të shërbente në ndihmë të komuniteteve. Ndërsa përgjatë një vizite që zhvilloi në hidrocentralin e Komanit, Topi e vuri theksin te situata energjetike dhe te fakti se ndërprerje nuk duhet të kishte as në komunat më të thella. Në Komunën e Temalit, kreu i shtetit u prit nga kryetari Mark Zhuri dhe përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe banorë të fshatrave përqark. “Erdha këtu të jap një mesazh inkurajimi, solidariteti me ju në emër të institucioneve të shtetit shqiptar. Të gjithë përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike, që përbëjnë këshillat e komunave e të bashkive, kudo ku ka probleme të kësaj natyre, duhet të jenë së bashku pa asnjë lloj ndarjeje, pozicionimi politik, motivimi politik, për të sinkronizuar të gjithë fuqinë për të dalë nga kjo situatë”, deklaroi Presidenti Topi. Nga ana tjetër, kreu i shtetit theksoi se ai kishte pasur kontakte shumë intensive me të gjithë përfaqësuesit e strukturave të ngritura për emergjencën, me shefin e shtabit, të policisë, të institucionit të emergjencave civile dhe me përfaqësuesit vendorë të të gjitha zonave të bashkive, të komunave, të qarqeve. Në këtë kuadër, Topi theksoi se ky solidarizim duhet të vinte edhe nga bota e biznesit, duke u bërë thirrje kompanive celulare të bënin të gjitha përpjekjet për të ofruar komunikim. “U bëj thirrje kompanive të telefonisë për të siguruar komunikimin, sepse në disa zona, sipas informacionit, edhe për shkak të mosmbajtjes në punë të antenave, një pjesë e komunikimit është ndërprerë. Të përkushtohen edhe ata, sikurse të gjithë të tjerët, që të krijojnë mundësinë e komunikimit. Pas vizitës në Temal, Presidenti Topi vizitoi edhe hidrocentralin e Komanit, ku u takua me drejtorin e tij, Ndok Seferi, dhe drejtues të tjerë e inxhinierë për t’u informuar mbi gjendjen emergjente në këtë pikë strategjike energjetike në vend. Presidenti kërkoi që të sigurohej energji në zonat e emergjencës, ndonëse kjo ishte një sfidë për profesionistët e këtij hidrocentrali, si pasojë e motit të papërshtatshëm.