Beitragsansicht

Tuneli që depërton në alpe

E premtja do të mbetet gjatë në kujtesën e zviceranëve. Si kurrë më parë, punëtorë dhe njerëz të shquar të vendit janë bërë bashkë në një vend shumë të veçantë: në thellësitë e tunelit më të gjatë në botë, poshtë alpeve. Ky tunel tashmë është shndërruar në një nga krenaritë më të mëdha të vendit

Reputacioni i Zvicrës është dëmtuar në mënyra të ndryshme gjatë viteve të fundit. Një nga krenaritë e vendit: bankat dhe mbi të gjitha ligji i fshehtësisë, reaguan se nuk kishin imunitetin e mjaftueshëm për t’u bërë ballë të gjitha goditjeve të krizës së fundit financiare. Kështu Zvicra e pa veten në mesin e disa skandaleve të mëdha të shmangies së taksave. Si të mos mjaftonte kjo, nëntorin e kaluar Zvicra, përmes një referendumi, ndaloi ngritjen e minareve në vend, një vendim ky që nuk u prit mirë nga një pjesë e vendeve të botës.

Të premten, vendi alpin e pa edhe njëherë veten në qendër të vëmendjes, por këtë herë bëhej fjalë për një ngjarje pozitive dhe vëmendja ndërkombëtare ishte e tillë. Rreth orës 2 të pasdites, në praninë e minatorëve, dinjitarëve dhe gazetarëve turjela gjigante që kishte çarë male, bëri edhe depërtimin e fundit të segmentit të tunelit, një segment 1.5 metër shkëmb që përfundoi edhe 57 kilometërshin e gjigantit nëntokësor. Pas këtij hapi të kryer në praninë e të gjithëve, ky tunel është tashmë më i gjati në botë dhe zviceranët kanë plotësisht të drejtë që të krenohen me të. Sikundër e tha edhe vetë ministri zviceran i Transporteve, bëhet fjalë për mrekullinë më të madhe në botë të Zvicrës dhe mrekullinë më të madhe në botë në fushën e tuneleve. Është një hiperbolë që nuk përmban në fakt asnjë lloj ekzagjerimi. Tuneli i ri është një kryevepër inxhinierike, që kalon dhe depërton në thellësitë e alpeve, nëpër zona shumë të ashpra shkëmbore dhe në zonat që në fakt janë problematike, për shkak të përbërjes së tyre jo gjithmonë të qëndrueshme. Ishte një ndërmarrje kolosale, për kurorëzimin e së cilës humbën jetën edhe 8 punëtorë. E megjithatë hapja e tunelit u krye para afatit të përcaktuar.

“Është dita më e mrekullueshme e jetës sime profesionale në këto 36 vite pune”, është shprehur me lot në sy një nga projektuesit e tunelit, Hubert Bar, ndërsa mbante në dorë një ikonë të Shën Barbaras, shenjtorit të minatorëve. Ndërsa për Peter Fueglistaler, shefi i Zyrës Federale të Transporteve, dita e përfundimit të tunelit është një ditë gëzimi për gjithë Zvicrën dhe zviceranët kudo në botë.

Tuneli i bazës së Gotthard-it është pjesë e një rrjeti projektesh të transportit alpin, në të cilin bëjnë pjesë edhe dy tunele të tjera në mal, të cilat kanë për qëllim të lehtësojnë transportin mes Europës së Veriut dhe asaj të Jugut dhe mbi të gjitha ta bëjnë më të shpejtë. Rrjeti i njohur si NEAT është ndërtuar që të lehtësojë edhe rrjetin hekurudhor shumë të ngarkuar të Zvicrës së bashku me rrugët dhe autostradat e vendit. Kur tuneli të përfundojë, shpresohet se çdo vit në të do të kalojnë 650 000 kamionë dhe mjete transporti. Përveç kësaj, ky tunel do të përshpejtojë edhe rrugën mes Zyrihut dhe Milanos, duke fituar një orë. Arritja e së premtes është rezultat i një pune shumë të madhe që ka zgjatur me vite dhe një pune që ka pasur edhe shumë sakrifica njerëzore. Votuesit zviceranë e aprovuan projektin përmes një sërë referendumesh 20 vite të shkuara dhe punimet e para të gërmimit për këtë tunel kanë filluar një dhjetëvjeçar më parë. Kanë qenë punime shumë të shtrenjta. Tuneli i Gotthard-it në përfundimin e tij do të ketë një kosto prej 9.1 miliardë eurosh, ndërsa të gjitha korridoret e rrjetit NEAT do të kushtojnë 17.9 miliardë euro, ose dyfishin e shpenzimeve që ishin parashikuar të bëheshin në fillim. Pavarësisht rëndësisë së projektit për europianët dhe transportin në kontinent, janë taksapaguesit zviceranë ata që e kanë financuar më së shumti atë.

Dhe ata nuk ka shanse që të shohin shumë përfitime nga ky investim gjigant që kanë bërë. Sipas një gazete gjermane, parashikimet e fundit tregojnë se NEAT do të dalë me humbje deri në vitin 2070 dhe bëhet fjalë edhe për dyshime në lidhje me efektshmërinë maksimale të tunelit. Por për momentin të premten të gjithë kanë festuar dhe ngritur dolli për një arritje shumë të madhe, që u bë e mundur kryesisht dhe falë forcës e aftësisë së mendjes dhe muskujve të njerëzve

Era85 17.10.2010 0 1049
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
17.10.2010 (vor 5181 Tagen)
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)