Beitragsansicht

Vendet ballkanike, jo anëtarësim i menjëhershëm në organizatën europiane

Kroacia në rrugën drejt BE-së ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, Komisioni i BE-së i dha dritën e gjelbër anëtarësimit. Mos vallë tani edhe vendet fqinje të Kroacisë janë afruar më shumë me BE-në. Dje, Kroacia ka shkruar historinë. Anëtarësimi në BE, që tashmë është afruar edhe më shumë, do të thotë përmbushja e një objektivi të rëndësishëm të politikës së jashtme qysh pas pavarësisë së vendit përpara njëzet vjetësh. Përpjekjet ekonomike dhe politike të Kroacisë u shpërblyen me komunikimin, që ky vend në verën e vitit të ardhshëm do të pranohet në BE. Kroacia ia arriti asaj për të cilën ëndërrojnë vendet e tjera fqinje aspirante për anëtarësim. Anëtarësimi në BE është një premtim edhe për Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Me përjashtim të Kosovës, që u bë e pavarur në vitin 2008, të gjitha vendet e tjera kanë nënshkruar marrëveshjen voluminoze të Asociim-Stabilizimit, që mbështet procesin e afrimit në BE. Ndërsa për fat të keq ka shumë shenja që koha e pritjes për kandidatët nga Europa Juglindore të zgjatet pa afat. Nga njëra anë kjo i ka arsyet e veta në deficitet ekzistuese të këtyre vendeve në transformim. Në raportet e progresit BE-ja për të gjithë kandidatët tërheq vëmendjen, që pavarësia e drejtësisë nga politika nuk është e mjaftueshme, që korrupsioni vazhdon të jetë një problem i madh, që ekonomia e klientelizmit pengon reformat. Në shumë vende janë elitat politike që e bllokojnë progresin, sepse, si p.sh. në Bosnjë-Hercegovinë, ato preferojnë politikën e orientuar nga fryma e grupeve të popullsisë. Në Shqipëri rivaliteti i rrënjosur thellë mes qeverisë dhe opozitës pengon përparimin në drejtim të BE-së. Perspektivat e anëtarësimit për Kosovën vështirësohen nga konflikti me Serbinë për njohjen e pavarësisë. Afrimi i Maqedonisë në BE ngec në grindjen me Greqinë për çështjen e emrit. Por njëkohësisht nuk duhet të lihet në heshtje që janë bërë edhe shumë përparime. Si p.sh., Serbia, që me ekstradimin e të dyshuarit për kriminel lufte Ratko Mlladiç në Tribunalin për Krimet e Luftës në Hagë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Shanset për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit janë për Beogradin më të mira se kurdoherë tjetër. Mali i Zi mund të dëshmojë një bashkëjetesë të shtensionuar midis grupeve etnike të popullsisë në vend. Të gjitha vendet bëjnë përparime në sektorin e ekonomisë dhe të politikës. Megjithatë për ato duhet të jetë e vështirë, që këto përparime të vlerësohen si të mjaftueshme në vendet anëtare të BE-së. Është shumë e madhe frika se me vendet e Ballkanit Perëndimor në BE mund të importohen edhe më shumë probleme. Kundërshtarët e zgjerimit, krahas konfliktit të pazgjidhur të Qipros, druhen se Kosova mund të jetë problemi tjetër i vështirë i BE-së. Përveç kësaj, rezerva tjetër që kanë ata: Qysh tani është mjaft e vështirë të zbatohen standarde të unifikuara brenda BE-së, gjë që pasqyrohet edhe në diskutimin për anëtarësimin e Rumanisë dhe të Bullgarisë në zonën Shengen. Nga të gjitha anët ky diskutim mbingarkohet edhe me krizën financiare të Greqisë. Parullat që hidhen në rrethe të ngushta me spica ndaj europianojugorëve, gjoja dembelë kundrejt europianoveriorëve të zellshëm, shumë shpejt përdoren edhe si argumente. Dhe elektorati preferon t'i dëgjojë ato. Integrimi në BE do të zgjasë më shumë nga sa besohet. E nga ky debat i ngarkuar me populizëm dhe emocionalitet cenohet edhe prestigji i fqinjëve të Greqisë. Është e vështirë të dëgjohet zëri i atyre që janë për zgjerimin, kur u duhet që me të drejtë të tërheqin vëmendjen, se perspektiva e anëtarësimit e lidhur me kushte krijon presion për reformat. Mos vallë do të ishte sot Mlladiçi në Hagë, nëse Serbia nuk do ta dëshironte patjetër anëtarësimin në BE? Ajo që nuk duhet të harrojmë është se Ballkani Perëndimor me ritmet e veta të zhvillimit ekonomik është interesant për BE-në. E para së gjithash, duhet të mos harrojmë që Bashkimi Europian është një projekt i paqes. Pikërisht këtë rol që ka marrë Europa Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore duke i ndihmuar kësisoj kontinentit për stabilitet dhe zhvillim të madh, duhet të marrë tani edhe BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor. Vetëm se kjo mund të kërkojë më shumë kohë nga sa besojnë njerëzit në Europën Juglindore. Këtë të vërtetë të hidhur elitat politike duhet t'ua thonë zgjedhësve të tyre. E ato duhet të bëjnë të qartë edhe diçka: Integrimi në BE nuk i zëvendëson reformat ekonomike, që ato duhet t' i përballojnë vetë. Kjo është e rëndësishme pikërisht sepse koha e pritjes do të zgjasë më shumë nga sa zgjedhësit duan ta besojnë. Anëtarja e ardhshme e BE-së, Kroacia, duhet t'u ndihmojë fqinjëve të saj për ta përshkuar këtë rrugë të vështirë.

Era85 11.06.2011 0 1039
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)