Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, deklaroi dje se ende në Shqipëri nuk është krijuar histori bindëse për sa i përket dënimit të fenomenit të korrupsionit. I ftuar në një tryezë për të diskutuar në lidhje me masat që duhet të ndërmerren ndaj këtij fenomeni, Wollfarth deklaroi se ndonëse në vendin tonë për korrupsionin janë marrë masa, ka ende shumë për të bërë. “Mbetet ende për t’u krijuar një histori bindëse e aktgjykimeve dhe dënimeve të forta e të duhura, ose gjobave në rastet e korrupsionit”, theksoi ambasadori. Ai nuk harroi të theksojë edhe faktin se goditja ndaj këtij fenomeni duhet të jetë e plotë edhe në rastet kur personi që akuzohet për korrupsion ka një nivel të lartë në hierarkinë e zyrtarëve shqiptarë. Këtë qëndrim kreu i OSBE-së në Shqipëri e lidhi edhe me faktin se nëse nuk ka “goditje” të tilla, atëherë është e vështirë të flitet për pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vend. “Trajtimi i prerë dhe transparent i rasteve kur pretendohet se ka pasur korrupsion, pavarësisht nga statusi i të akuzuarve, është një tregues i rëndësishëm i pavarësisë së gjyqësorit”, theksoi Wollfarth në fjalën e tij. Ashtu siç edhe është theksuar në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ambasadori i OSBE-së theksoi se korrupsioni më së shumti gjendet në institucionet që trajtojnë çështjet e pronësisë në vend. “Mungesa e transparencës dhe baza e paqartë ligjore në përforcimin e të drejtave të pronësisë është një fushë që mundëson praktikat korruptive dhe dëmton në themel qëllimin e krijimit të një tregu funksional të tokës”, vuri në dukje ambasadori i OSBE-së. Nga ana tjetër, Wollfarth nuk la pa përmendur edhe çështjen e financimit të partive dhe mungesën e transparencës në këtë proces. Kreu i OSBE-së la të kuptohej se qeveria duhet t’i akordonte më shumë të ardhura Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bërë edhe hetimin e duhur mbi financimin e partive. “Transparenca lidhur me financimet e partive mbetet gjithashtu shqetësuese. Edhe pse Kodi Zgjedhor kërkon që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbledhë deklaratat financiare të partive politike, ai nuk i ka mjetet e duhura për të hetuar burimet e financimit dhe gjithashtu nuk ekziston detyrimi për të raportuar mbi donacionet e bëra nga sektori privat”, theksoi në fjalën e tij Wollfarth. Por, nga ana tjetër, ambasadori i OSBE-së nuk harroi të përmendë edhe arritjet e vendit në luftën kundër këtij fenomeni. Sipas tij, Shqipëria ka ndërmarrë disa masa të guximshme kundër korrupsionit gjatë viteve të fundit, siç është miratimi i strategjisë së parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe miratimi i legjislacionit shqiptar në përputhje me atë të Bashkimit Europian. Po kështu, ai përgëzoi ekzekutivin për krijimin e sistemeve online për regjistrimin e biznesit, vënien e taksave dhe procesin e prokurimeve. “Politika e vazhdueshme e vendit për decentralizim krijon gjithashtu mundësi mbikëqyrëse nëpërmjet angazhimit civil në proceset lokale të vendimmarrjes”, vuri në dukje Wollfarth. Po kështu ai përgëzoi punën e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për hetimin që i ka bërë një pjese të madhe të zyrtarëve në vend. Një falënderim ambasadori i OSBE-së e bëri edhe për median që, sipas tij, ka dhënë kontributin e saj të çmuar në denoncimin e aferave korruptive dhe theksoi se ajo duhet inkurajuar të vazhdojë investigimet e saj